January 6, 2021 marin

Çfarë është autizmi

Më shumë rreth autizmit.

Çrregullimi i Spektrit të Autizmit (ÇSA) dhe Autizmi janë që të dyja terma të përgjithshëm të një grupi kompleks të çrregullimeve të zhvillimit të trurit. Këto çrregullime karakterizohen, në shkallë të ndryshme, nga vështirësitë në ndërveprimin social, komunikimin verbal dhe joverbal, si dhe vështirësi të sjelljes ( sjellje përsëritëse, ritualistike, obsesive, rigide)

Me publikimin e manualit të diagnostikimit DSM-5, në maj të vitit 2013, të gjitha crregullimet e autizmit u shkrinë në një fushë diagostikuese, të quajtur Çrregullimi i Spektrit të Autizmit.

Çrregullimi i Spektrit të Autizmit (ÇSA) mund të jetë i shoqëruar me paaftësinë intelektuale, vështirësitë në koordinimin motor dhe vëmendje, si dhe probleme të shëndetit fizik si: pagjumësia dhe shqetësimet gastrointestinale. Autizmi duket se i ka rrënjët e tij në zhvillimin e hershëm të trurit. Gjithsesi, shenjat më të dallueshme të autizmit dhe simptomave të tij, priren që të shfaqen ndërmjet moshës 2 dhe 3 vjeç.

Ndërkohë shumë shoqata botërore vazhdojnë të bëjnë kërkime për të gjetur metoda efikase për diagnostikimin e hershëm ndërkohë që ndërhyrja e hershme me anë të terapive bihevjoriale është provuar se mund të përmirësojë rezultatet. Rritja e ndërgjegjësimit mbi autizmin është çelësi i këtyre arritjeve.

Fakte

  • 1 në 54 fëmijë (Autism statistics from the U.S. Centre for Disease Control and Prevention (CDC) 2018.
  • Pse rritje?
    • Studime – Përmirësim në diagnostikim dhe në ndërgjegjësim
    • 4-5 herë më i zakonshëm tek djemtë (1 në 34) se tek vajzat (1 në 144)
  • Autizmi është çrregullimi serioz më në rritje në USA, më i shpeshtë se kanceri dhe diabeti.
  • Ndonjëherë fëmijët janë identifikuar me LD (Learning Disabilities) ose DCD (Development Coordination Disorder), kur në fakt ata vuajnë nga Autizmi.

Cfarë e shkakton Autizmin?

  • Nuk ka vetëm një shkak sikurse nuk ka vetëm një lloj autizmi
  • Në këto pesë vite shkencëtarët zbuluan ndryshimin ose mutacione të një numëri gjenesh të lidhura me autizmin. Vetëm disa prej këtyre gjeneve mjaftojnë për të shkaktuar autizmin.
  • Gjenet e riskut për autizmin dhe faktorët ambjental, influencojnë zhvillimin e hershëm të trurit.

ÇFARË DUHET TË BËNI NËSE SHIKONI QË DIÇKA NUK SHKON TE FËMIJA JUAJ?

Mos prisni! Flisni me profesionistë të fushës ( mjek pediatër zhvillimi, neuro pediatër, psikiatër infantil ) ose kontaktoni qendrat e shëndetit mendor apo qendra të shërbimit psikosocial në mënyrë që fëmija juaj të vlerësohet për zhvillimin e tij. Kërkimet kanë treguar se diagnostikimi dhe ndërhyrja e hershme, ofrojnë shansin më të mirë për për të arritur rezultate dhe progres në drejtim të funksionimit global të fëmijës.

SHENJAT E HERSHME TË AUTIZMIT

  • Sillet ftohtë;
  • Bashkëvepron jo mirë me objektet;
  • Nuk përgjigjet kur i thërret në emër;
  • Qesh dhe gugat në mënyrë të papërshtatshme (pa shkak);
  • Shmang kontaktin me sy;
  • Ka vështirësi në ndërveprim dhe lojë me fëmijët e tjerë;
  • Nuk tregon me gisht objektin e dëshiruar;
  • Mund t’i kryejë mirë detyrat, por jo detyra që kërkojnë ndërveprim social;
  • Nuk kupton frikën dhe rrezikun;
  • Imiton në mënyrë të përsëritur fjalët dhe frazat;
  • Shfaq mungesë të lojës simbolike (bën lojë të pazakontë dhe përsëritëse);
  • Pëlqen të rrotullojë objekte në mënyrë të përsëritur;
  • I kërkon gjërat duke kapur të rriturit nga dora;
  • Nervozohet në mënyrë të tepruar; shfaq hiperaktivitet ose pasivitet të tepruar;
  • Ka shpërthime të qarash, ankth të tepruar pa asnjë arsye reale;
  • Është i pandjeshëm ndaj dhimbjes fizike;
  • Kërkon rutinë të vazhdueshme, nuk pëlqen ndryshimet;
  • Nuk preferon ta përqafojnë ose ta prekin;
  • Nuk i përgjigjet metodave të zakonshme të mësimit;
  • Ka sjellje të pazakonta ose lëvizje trupore të tilla si lëkundjet e duarve, përkundjet dhe hedhjet përpjetë.
, , , , , ,