January 6, 2021 marin

Vonesa gjuhësore

Vonesa gjuhësore, është një gjendje kur fëmija nuk arrin zhvillimin e gjuhës  konform me moshën.

Pra, është zhvillimi i ngadaltë i etapave të gjuhës, karakterizohet nga një i kuptuar deri diku i mirë i gjuhës dhe një i shprehur pak i cunguar.

Një fëmijë me vonesë gjuhësore afër 3 vjeç, ka një fjalor shumë të kufizuar, dhe gjatë komunikimit dominojnë më shumë gjestet. Kurse një fëmijë rreth moshës 5 vjeçe ka një të kuptuar më të mirë, mirëpo fjalori është i varfër, përdorin më shumë gjeste dhe mjaftojnë të kuptohen vetëm nga prindërit.

Zakonisht, është prindi ai i cili fillimisht i vë re ndryshimet tek fëmija e tij në krahasim me bashkëmoshatarët e tij. Ndonjëherë zhvillimi i vonshëm është tepër i dukshëm, por ndonjëherë është e nevojshme që të bëhet një vëzhgim më i detajuar edhe nga specialistë.

Ndryshimi ndërmjet vonesës gjuhësore dhe vonesës në të folur:

Një fëmijë me vonesë gjuhësore mund të artikulojë fjalë, por mund të jetë i aftë të ndërtojë fjali vetëm me dy gjymtyrë. Ndërsa, një fëmijë me vonesë në të folur mund të përdorë fjalë dhe fjali për të shprehur mendimet e tij, por të tjerët e kanë të vështirë ta kuptojnë.

Kur dhe si zhvillohet i foluri?

Klinikisht, çdo fëmijë sa arrin në moshën 3-6 muajshe mund të nxjerrë zëra të thjeshtë, kërkon vëmendje,lëvizë, krijon zhurma;

  • Në moshën 6-12 muajshe fëmija duhet të nxjerrë zëra si “ba ba” , “ma ma”, dëgjon kur i flitet, kupton fjalët si “topi“,”macja”, ”lule”.
  • Në moshën 12 muajshe fëmija duhet të kuptojë përgjigjen ‘po‘ ose ‘jo’, dhe të reagojë kur e thërrasin në emër.
  • Në moshën 12-18 muajshe duhet të shqiptojë dy fjalë si “mami’, ‘babi’.
  • Në moshën 2 vjeç are duhet të ketë një fjalor rreth 20-50 fjalësh, ndjekë udhëzimet e thjeshta ”ma jep topin“. Krijon fjali me dy – tri fjalë, kupton më shumë nga ç’thotë.
  • Në moshën 36 muajshe – duhet të ketë një të folur më të qartë që mund të kuptohet nga të gjithë. Të përgjigjet në pyetjet e thjeshta “Kush?“, “Çfarë?“, “Pse?”, përdorë fjali me katër ose më shumë fjalë.
  • Në moshën 4-5 vjeçare mund të tregojë një ngjarje të thjeshtë, dhe
  • Në moshën 7 vjeçare mund të tregojë edhe një ngjarje të komplikuar.

Mirëpo, duhet ditur se mosha në të cilën fëmijët fillojnë të flasin varion nga një fëmijë në tjetrin, secili fëmijë ka zhvillimin e tij tipik. Pra, të folurit më vonë se bashkëmoshatarët e tij, nuk do të thotë që fëmija juaj është më pak i zhvilluar se ata.

Shkaqet e vonesës gjuhësore mund të jenë të ndryshme:

  • Faktorët gjenetik;
  • Ambienti i varfër gjuhësor në të cilin jeton fëmija;
  • Çrregullime të marrëdhënive nënë-fëmijë;
  • Lindja e një fëmijë tjetër;
  • Binjakët;
  • Fëmijët që lindin nën peshë;
  • Ambienti dy gjuhësh;
  • Përdorimi i tepërt i teknologjisë;
  • Mos frekuentimi i kopshtit.

Këshilla për prindërit që mund të bëjnë më shumë për të nxitur të folurit tek fëmijët:

  • Jepini fëmijës suaj sa më shumë mundësi për të komunikuar me ju;
  • Flitini atij vazhdimisht;
  • Emërtoni dhe i tregoni me gisht objektet, sendet, ambientet, njerëzit e gjithçka që ju rrethon;
  • Nëse i bëni një pyetje, lërini 10 sekonda kohë para se ta inkurajoni për të kthyer një përgjigje;
  • Kur ata komunikojnë në mënyrën e pritur nga ju, jepini atij një reagim të qartë. Psh, ju mund t’i thoni atij; “Po, kjo eshte gota”;
  • Përsërisni çfarë fëmija juaj thotë duke ia korrigjuar gabimet. Psh, nëse ai thotë: “nane”, ju përgjigjuni: “Po, do hamë banane”;
  • Mos i kërkoni shpesh: përsërite edhe njëherë, dhe mos i thoni kurrë: fol mirë, fol si unë apo si vëllai më i madh, ose dëgjo sa bukur flet ai tjetri etj.;
  • Mos u ulni për të ngrënë me radio, televizor, apo edhe telefonin para;
  • Nxiteni të rrijë me fëmijë të tjerë;
  • Imitoni e bëjeni t’iu imitojë me tinguj, rrokje e gjeste;
  • Kur i flisni, mbajeni fëmijën përballë me qëllim që ai të shikojë fytyrën tuaj;
  • Kur bën e thotë diçka të mirë, jepini të kuptojë që ju jeni e kënaqur, kështu e inkurajoni atë ta bëjë shpesh një gjë të tillë.
, , , , , ,